Tre shqiptarë kanë rënë në pranga të policisë italiane, pasi dyshohen se janë autorët e disa vjedhjeve por edhe trafikantë të lëndëve narkotike.

Në pranga ranë tre shqiptarë Lorend Dukagjini, 28 vjeç, Arnold Isufi, 22 vjeç dhe Edmond Hoxha, 58 vjeç, raportojnë mediet italiane.

Në operacionin e djeshëm, karabinierët bastisën strehën ku fshihej banda në qytetin Fontanafredda, ku u arrestuan tre shtetasit e mësipërm, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Autoritetet vendase përfunduan dje hetimet e nisura në muajin nëntor. 

Grupit iu sekuestrua shuma e 3600 euro para cash, që dyshohet se ka ardhur nga aktivitetet e paligjshme, si dhe bizhuteri e rroba që arrinin vlerën 20 mijë euro, të vjedhura nga banesa të ndryshme.

Në një zgavër të hapur në murin e banesës së tyre, policia gjeti edhe 2 kg drogë, heroinë e kokainë, që në treg arrinin vlerën e 60 mijë eurove. Gjithashtu u konfiskuan edhe objekte për përgatitjen e drogës.