Policia Rrugore tregon një vëmendje më të theksuar për shkeljet e Kodit Rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve përgjatë fundjavës.

Gjatë ditës së diel, efektivët e saj kanë arrestuar në flagrancë dy të rinj nga Durrësi dhe Shijaku, që drejtonin mjetet pa patentë.

“Më datë 21.10.2018, u arrestua  në flagrancë shtetasi A.A., vjeç 20, banues në Durrës, pasi në rrugën ”Mujo Ulqinaku”, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip ”Volksvagen”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 21.10.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi A.T., vjeç 27, banues në Shijak, pasi në rrugën Tapizë-Krujë, u kap duke drejtuar pa  leje drejtimi mjetin tip “Mazda”. Neni 291 i Kodit Penal”,- njofton policia.

Ndërkohë, në pranga ka përfunduar edhe një 20-vjeçar nga Kruja, i cili ka përplasur me mjetin e tij top “Benz” drejtuesin e një motori, një banor i qytetit të Durrësit, i cili ka mbetur i plagosur nga përplasja dhe ndodhet i shtruar në spital.

“Më datë 21.10.2108, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Rr., vjeç 20, banues në  fshatin Zezë, Krujë, pasi në rrugën nacionale, tek “Kryqëzimi i Niklës”, duke drejtuar mjetin  “Benz”, është përplasur me motorin tip “Skuter”, me drejtues shtetasin G.K., vjeç 67, banues në Durrës, për pasojë është aksidentuar drejtuesi motorit  i cili ndodhet në spitalin nën kujdesin e mjekëve”,- bën të ditur policia në njoftimin e saj për shtyp.