Vijon operacioni i koduar “Kredia”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit me të holla.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, nën drejtimin e Prokurorisë.

Shkon në 8 numri i të arrestuarve dhe të proceduarve penalisht.

Gjatë hetimeve evidentohen dhe arrestohen edhe 2 persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kredia”, i finalizuar në janar 2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën ekonomiko-financiare, në vijim të hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, është bërë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për ndalimin e shtetasve E. I., 26 vjeç dhe F. D., 26 vjeç, të dy banues në Kuçovë.

Nga hetimet disamujore të kryera janë siguruar prova bindëse për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në bashkëpunim me shtetasin e arrestuar gjatë operacionit dhe bashkëpunëtorët e tjerë që janë shpallur në kërkim.

Këta shtetas përvetësonin shuma të hollash me anë të mashtrimit, duke nënshkruar edhe kontrata huaje në emër të një shoqërisë me objekt veprimtarie dhënie kredie, me qëllim përvetësimin e shumave të lekëve, gjë për të cilën kjo shoqëri nuk kishte dijeni.

Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrim më shumë se një herë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.