Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy të rinjtë që ngacmuan seksualisht shtetasen amerikane në fshatin "Hekal" të Petrelës. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, për të cilën dy të rinjtë janë shprehur të penduar në dëshminë e tyre ndërsa në gjykatë nuk folën. 

Ndërkohë që, prokurori kërkoi burg pa afat për të rinjtë, avokati Enea Cenko, kërkoi një masë më të butë sigurie, për arsye të pendesës dhe kushteve sociale në të cilat ata ndodhen.

Sipas avokat Cenkos, të rinjtë kanë vepruar edhe në kushtet e ndikimit të pijeve alkoolike. Ndërkohë, Gesjan Gjoshi është shprehur se ndjehet shumë i penduar dhe ka treguar se në momentin që shoku i tij ka ngacmuar shtetasen amerikane, i ka thënë të largohen, por ai se ka dëgjuar.

Edhe Artur Hyka, ka pranuar ngjarjen dhe është shprehur i penduar. Por, gjykata pasi dëgjoi të dyja palët, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke i lënë në burg pa afat, ndërsa avokati Enea Cenko, u shpreh se do të apelonte vendimin.