Policia e Durrësit ka dhënë versionin zyrtar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në shkollën 9-vjeçare të Arapajt, ku një 8-vjeçare është tentuar të përdhunohet.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit për ngjarjet e datës 6 korrik, blutë e Durrësit njoftojnë se kanë ndaluar më 5 korrik 2019, 16-vjeçarin A.R., dhe proceduar në gjendje të lirë për shtetasin N.K., 13 vjeç.

Sipas burimeve zyrtare, nuk bëhen me dije të tjera të dhëna për ngjarjen për arsye hetimi.

Njoftimi i policisë, 6 korrik 2019

Durrës 

Më datë 05.07.2019, Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës në zbatim të urdhërit të Prokurorit, ndaluan 16-vjecarin A.R., pasi ky shtetas dyshohet të ketë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 108/a/2 dhe 110/2 të Kodit Penal. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin N.K., 13 vjeç. Për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera.