40 minuta frikë për pasagjerët e fluturimit të “Blue Express Panorama” të nisur nga Tirana në orën 16.45 për në Romë. Sipas “La Repubblica” një pasagjer shqiptar rreth 30 vjeç, vetëm pak minuta nga nisja ka nisur të bërtasë me zë të lartë ndaj pasagjerëve të tjerë dhe në një moment është kthyer nga babai i tij që ishte ulur pranë dhe ka nisur ta godasë atë pa pushim.

Kanë ndërhyrë disa pasagjerë të tjerë dhe personeli të cilët i kanë kërkuar të qetësohet, por i riu ishte gjithnjë edhe më shumë i irrituar. Duke parë aktet e dhunës ndaj të atit të moshuar dhe kërcënimet ndaj pasagjerëve të tjerë, “La Repubblica” shkruan se ka ndërhyrë, Simona Gori, drejtore e përgjithshme e kompanisë italiane “Consulcesi Group”, e cila ka arritur ta qetësojë për një moment duke e bërë që ai të flasë për problemet e tij. Avioni bëri ulje të detyruar në Pescara ku 30-vjeçari u arrestua ndërsa babai i tij u dërgua në spital.

“Në fillim pata frikë sepse ai djali po kërcënonte pasagjerët duke u thënë se kishte një pistoletë. Ishte shumë i zemëruar, bërtiste fort dhe qëllonte me grushte në fytyrë të atin që përpiqej ta qetësonte. Kuptova që kishte nevojë të fliste sepse u kërkonte ndihmë grave italiane që ishin në fluturim” – rrëfen Simona Gori që ishte ulur vetëm disa sedilje larg nga shqiptari.

“Thoshte se kishte një borxh prej 40 mijë eurosh dhe se i kishin marrë peng gruan. Vendosa të ndërhyj duke i thënë se si mund ta ndihmoja. I kërkova të më tregonte historinë e tij” –rrefen menaxherja.

“Ata u qetësuan për disa minuta dhe unë po përpiqesha ta mbaja në bisedë edhe duke i tërhequr vëmendjen nga babai i tij i moshuar që vijonte ta godiste. I ofrova ujë dhe i shpjegova që nuk i kisha ato para në ato momente, por mund të flisnim për atë që kishte ndodhur. Unë punoj në një kompani që është lider në trajnime dhe jam mësuar se si të përballem me njerëzit.

Në atë moment po bëhej më pak agresiv duke mos e ngacmuar të atin. I kërkova komandantit nëse mund të ulesha pranë tij në mënyrë që të flisja më mirë, por nuk më lejoi. Kishte shumë tension te pasagjerët, pati shumë frikë kur ai nisi të kacavirrej nëpër sedilje duke iu drejtuar fundit të avionit. Së fundmi u ulëm në Pescara kur në bord u ngjitën policët që e morën me vete” – tha italiania.

Një aventurë e shëmtuar, por për pasagjerët pati shumë frikë. Avioni u rinis dhe u ul në Fiumicino rreth orës 19.30.