Policia ka sekuestruar 106 890 euro dhe 102 dollarë ndërsa ka proceduar penalisht shtetasin francez i cili nuk i ka deklaruar në pikën kufitare të Rinasit.

Policia e Sarandës gjatë kontrolleve të ushtruara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit me Policinë Kufitare të Rinasit, godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Policia ka shoqëruar shtetasin francez R. Ch., 70 vjeç dhe gjatë kontrollit këtij shtetasi i janë gjetur 106 890 euro dhe 102 dollarë.

Ky shtetas kishte hyrë në Shqipëri nëpërmjet aeroportit të Rinasit dhe nuk kishte deklaruar shumën e të hollave në kufi, sipas ligjit dhe në momentin e gjetjes së shumës së parave nuk dispononte dokument me vete për të justifikuar burimin e tyre.

Nën drejtimin e prokurorisë, u kryen veprimet procedurale, u bë sekuestrimi i shumës së parave dhe shtetasi R. Ch. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, ky shtetas u procedua edhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.