Dy të rinj nga Fushë-Kruja janë vënë në prangat e policisë së Tiranës mbrëmjen e të martës.

Ata po qarkullonin me armë zjarri me silenciator me vete dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Por pas ndjekjes nga forcat “Shigjetat”, 24-vjeçari  Edmir Albrahimi dhe 29-vjeçari Ermal Zalla përfunduan në pranga.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara, por dhe dyshimit të krijuar nga shërbimet e Policisë “Shigjetat” për lëvizjet e kryera nga një drejtues mjeti me automjetin e tij në momentin që ka parë forcat e Policisë, atij i është dhënë shenjë për të ndaluar, me qëllim ushtrimin e kontrollit fizik të personave dhe të automjetit, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen. Forcat “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të automjetit  tip “BMW”, njofton policia.

Drejtuesi i automjetit, kur ka parë se po ndiqej nga forcat “Shigjetat”, ka hedhur nga dritarja e makinës një armë zjarri pistoletë me silenciator, si dhe një aparat celular që përdoret për shpërthime në distancë.

Policia ka bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe të dy personave që udhëtonin me këtë automjet.

Në vendngjarje grupi hetimor gjati dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, një silenciator, 13 fishekë luftarak dhe një aparat celular që dyshohej se do përdorej për shpërthim të lëndës eksplozive në distancë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të kryera në bashkëpunim.