Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur paraditen e së martës në Balldren të Lezhës, ku Hilë Gjini, 43 vjeç, u qëllua me armë zjarri pranë banesës nga 69-vjeçari Gjergj Gjini, i cili u prangos dy orë pas ngjarjes nga Policia.

Bashkëshortja e 43-vjeçarit mësohet se ka neutralizuar bashkëfshatarin e tyre Gjergj Gjini që të vijonte me të shtënat e armës.

Sapo 69-vjeçari i ka zënë pritë mjetit, ajo ka zbritur në tokë nga dera e pasme e mjetit dhe është përleshur me autorin. Bashkëshortja e 43-vjeçarit fillimisht ka mundur t’i ulë dorën e me pas t’i rrëmbejë armën të moshuarit Gjergj Gjini, i cili në ato momente po qëllonte drejt bashkëshortit të saj, raporton “Panorama”.

Shenjat e lëna nga përleshja ende evidentohen në duart e bashkëshortes së Gjinit, e cila është kujdesur edhe për fëmijët e mitur që ndodheshin në makinë. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, i plagosuri që ndodhet në Spitalin Rajonal të Lezhës ka mohuar të ketë pasur konflikte me autorin e ngjarjes, pavarësisht se ai pretendon se i ka helmuar delet 15 vite më parë.

Kjo ngjarje mund të evitohej, pasi sipas informacioneve, Policia ka qenë disa herë te banesa e tij për konflikte të ndryshme ku edhe mund të kishte evidentuar armën zjarrit të cilën e kishte pa leje.

Autori i ngjarjes vijon të qëndrojë në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë në Lezhë në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë, e cila nuk është vendosur ende se kur do të jepet.