Në Gjykatën e Durrësit ka nisur procesi për masën e sigurisë për të akuzuarit për vjedhjen e materialeve hetimore në Prokurorinë e Durrësit, njëri prej të cilëve është dhe roja private i selisë së Prokurorisë.

Të arrestuarit për ngjarjen janë:

• Nias Lena 56 vjeç, banues në Durrës, roje private, i caktuar me shërbim në orarin kur janë vjedhur zyrat e Prokurorisë;

• Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

• Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

Organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurorët Drini Pali dhe Artur Decolli, thanë në sallën e gjyqit se autorët kanë lënë gjurmë gishtërinjsh në ambientet e brendshme të institucionit gjatë vjedhjes.

Gjurmët e gishtërinjve janë gjetur edhe mbi serverin qendror dhe atë të kamerave të sigurisë.

Megjithatë, ata kanë deklaruar se nuk njihen me njëri-tjetrin duke mohuar vjedhjen.

Rezulton se në orën 6:30 të mëngjesit të 24 majit, janë dëmtuar kamerat e sigurisë, është hapur dera e server të IT-së. Janë gjetur 13 gjurmë kapilare. Gjurmët e gishtërinjve i përkasin Artur Isas dhe Besnik Bushit”.

Prokurorët thanë se janë kryer veprime të dhunshme në tre zyra, dhe po ashtu janë konstatuar zhdukje të fashikujve hetimore. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin, Prokuroria kërkon të konsiderohet i ligjshëm arrestimi dhe hetimi arrest me burg.

Gezim Lika, avokati i Artur Isës, mohon kategorikisht faktin që të ketë qenë ndonjëherë në jëtën e tij në prokurori. Ka qenë në banesë me familjen e tij. Përveç një prove shkencore dhe aktit të ekspertimit nuk e lidh asgjë me ngjarjen. Ai deklaroi se nuk e njeh të dyshuarin tjetër, se nuk e ka parë asnjëherë më parë.

Avokati mborjtës i Besnik Bushit, Eni Kodra, mohon kategorikisht prezencën të mbrojturit të tij në ngjarje. Pala mbrojtëse tha se Bushi natën që ka ndodhur ngjarja ka qenë duke peshkuar me disa persona. Ai ka treguar dhe rastet kur Besnik Bushi ka qenë në Prokurori.

“Para 7 vjetësh ka bërë instalimet elektrike dhe para 2 vjetësh ka qenë në prokurori tek oficeri i policisë gjyqësore për vjedhje energjie. Në shtëpinë e tij nuk ka as drita që prej dy vitesh. Është kryefamiljar i papaunë. Nuk jemi dakord me masën e sigurisë”, ka thënë avokati teksa ka kërkuar që të lirohet nga masa arrest me burg.