Operacioni Forca e Ligjit ka vepruar këtë të premte në qytetin e Vlorës. Policia e qytetit bregdetar ka ushtruar kontrolle dhe ka verifikuar rreth 300 automjete. Mësohet se 4 makina të blinduara janë sekuestruar. Ato janë në pronësi të personave që janë subjekt i ligjit special të miratuar nga qeveria.

Dy nga automjetet e blinduara i përkasin një prej personave më të përfolur të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizajt i njohur ndryshe me nofkën “Edison faqedjeguri”. Ky i fundit mbeti i vrarë në një atentat mafioz në dalje të Durrësit, një vit më parë. Automjetet janë gjetur të parkuara në garazhin e një pallati në zonën ku qëndronte Harizaj.

Dy automjetet e tjera mësohet se i përkasin  Eduart Xhezos dhe Shpati Lenës ose siç njihet ndryshe si Çelik Lena. Të dy këta persona janë akuzuar nga prokuroria e Vlorës për vrasjen e Arben Beqirajt, ose siç njihet ndryshe në Vlorë “Beni i Çeçesë” në gusht të vitit të shkuar për një konflikt banal në zonën e plazhit. Momentalisht Xhezo është i arrestuar dhe dërguar në gjykatë si i pandehur për akuzën e “Vrasjes me dashje”, ndërsa Lena është ende në kërkim