Finalizohet operacioni ndërkombëtar koduar “SEE JAD”.

Operacioni katërditor u organizua nga Europol, me fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e imigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës, të cilat janë përparësitë kryesore të Platformës Evropiane Multidisiplinare Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), e cila mbështeti këtë operacion.

Europol krijoi një qendër virtuale koordinimi për të mundësuar informime ditore dhe për të mbështetur shkëmbimin e inteligjencës midis pjesëmarrësve.

Në këtë operacion katërditor morën pjesë 34 vende, ndërmjet tyre dhe Shqipëria, agjencitë e BE-së si Europol, Eurojust, Frontex dhe partnerët ndërkombëtarë dhe institucionalë si INTERPOL, UNODC, PCC-SEE, CCWP, IPA/2019 kundër luftës ndaj krimit të rëndë dhe të organizuar në Ballkanin Perëndimor, SEESAC.

Në këtë operacion u përfshinë 8838 oficerë të Policisë, të rojës bregdetare, kufitare tokësore, detare dhe ajrore dhe agjentë doganorë.

Gjatë këtij plani operacional në Shqipëri, në PKK dhe vende të tjera të cilësuara me risk për kryerjen e veprave penale të mësipërme janë kontrolluar 2422 persona, 2032 automjete, 126 ambiente të ndryshme dhe 90 pako postare.

Gjatë zhvillimit të operacionit të përqendruar në kontrollet kufitare ne vendin tonë u arrestuan 7 shtetas shqiptar dhe të huaj, ndërsa 8 shtetas shqiptar dhe të huaj u proceduan në gjendje të lirë.

U sekuestruan 6 armë zjarri, nga të cilat 2 armë gjahu, 1 automatik, 3 pistoleta dhe 117 municione të ndryshme të armëve të zjarrit.

U kapën 2 persona në kërkim, një shtetas shqiptar i dënuar me 10 vjet burgim për trafikim të narkotikëve, një në kërkim ndërkombëtar, i shpallur në kërkim nga Kroacia, i dënuar 7 vjet e 7 muaj burgim për pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu u sekuestruan një sasi në paund, lëndë narkotike cannabis dhe një sasi e vogël kokaine.

Po gjatë operacionit në pikat e kalimit iu është refuzuar hyrja në territorin e vendit tonë, 14 shtetasve të huaj, pasi nuk plotësonin kushtet.

Nga patrullat kufitare në Kapshticë dhe Kakavijë, në bashkëpunim edhe me FRONTEX-in, janë kapur 411 emigrantë të parregullt të kombësive të ndryshme, si dhe janë bllokuar në kufi 2 pasaporta të vjedhura.

Ndërsa në rang ndërkombëtar hetuesit sekuestruan 51 armë të llojeve të ndryshme dhe 47 kilogramë drogë e llojeve të ndryshme.

Ky operacion është një goditje e rëndë për kriminelët që po minimizojnë sigurinë e kufirit dhe efikasitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit në gjurmimin e tyre. Agjencitë e zbatimit të ligjit janë të përgatitura për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtarisht duke kryer operacione me ndikim të lartë, pavarësisht nga pandemia globale COVID-19, ndaj qytetarët duhet të jenë të sigurt se ne vazhdojmë të ndjekim dhe përtërijmë në hetimet penale. Ky operacion tregon rezultatet që ne arrijmë kur autoritetet shtetërore të zbatimit të ligjit në të gjithë Evropën, agjencitë e BE-së si Europol dhe Frontex dhe agjencitë ndërkombëtare si INTERPOL dhe Kombet e Bashkuara punojnë së bashku.

Europol është i përkushtuar të punojë ngushtë me rajonin e Evropës Juglindore dhe të mbështesë një qasje ndërkombëtare të koordinuar dhe mbështetëse reciproke për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar.

Europol thekson se ky operacion është një sukses i jashtëzakonshëm dhe ilustron këtë bashkëpunim të fortë për zbatimin e ligjit.