Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni antidrogë Shqipëri-Greqi, ku u sekuestruan 1 kg kokainë, e cila kishte ardhur me kontejner në portin e Durrësit. Në një lidhje direkte për ‘News24’ gazetarja Klodiana Lala tregoi të dhëna nga dosja e operacionit në fjalë, ku brenda kontejnerëve që vinin nga Ekuadori ishte fshehur kokaina. Nga aksioni u arrestua Ardian Bega, oficer i sigurisë në portin e Durrësit, shtetasi Altin Myslimhaka, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet G.M. Mësohet se skema e trafikut Ekuador-Pire-Shqipëri, kishte pak ditë që po hetohej nga policia greke.

Ngarkesa e kokainës, e cila ishte nisur nga Ekuadori me 2 kontejner, me një sasi prej 45 kg, pasi u pikas nga policia greke, u zëvendësua me oriz në përpjekje për të futur në kurth porositësit, duke lënë vetëm 1 kg. Pasi e ambalazhuan drogën në mes të orizit, policia brenda tyre vendosi edhe gps (aparat lokalizues). Po ashtu gazetarja tha se dy kontejnerët kishin mbërritur në portin e Pireut në datën 26 gusht, ndërsa në 19 shtator ata mbërritën në portin e Durrësit (Në kontejnerin e parë ishin 25 kg dhe 231 gr kokainë dhe në të dytin 20 kg dhe 500 gr kokainë).

Pasi u vunë në dijeni nga autoritetet greke, policia shqiptare ndërmori masat, ndërsa prokuroria çeli procedim penal. Mësohet se në portin e Durrësit kanë qenë 4 oficerë policie që mbikëqyrnin kontejnerët, ndërsa operacioni vëzhgohej dhe nga një pallat përballë portit. Pasi ngarkesa në fjalë u mor nga oficeri i sigurisë së Portit, i cili u takua me shtetasin me inicialet G.M. Ky i fundit bashkë me Begën arritën të merrnin ngarkesën, të cilën e hodhën jashtë një makine me targa franceze, pasi pikasën se mbështjellja e drogës ishte e dyshimtë.