Policia e Elbasanit godet një grup që ushtronte veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Operacioni policor i koduar "Palestra" ka çuar në pranga katër persona, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.

"U arrestuan në flagrancë shtetasit R. R., 26 vjeç, B. A., 26 vjeç, D. P., 25 vjeç dhe V. T., 51 vjeç, të gjithë banues në Elbasan. Gjithashtu u shpallën në kërkim policor tre shtetas të tjerë, për të cilët, për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera", njofton policia.

Gjatë operacionit në lagjen "Emin Matraxhiu" Elbasan, në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. T., u gjet një sasi prej rreth 11 kg Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjete dhe tre aparate celulare.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sasinë e lëndës narkotike, do ta shpërndanin në qytetin e  Elbasanit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikeve", e kryer në bashkëpunim.