Një telefonatë në numrin 112 të policisë ka çuar në pranga një 24-vjeçar, banues në Theth, për armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike, duke krijuar panik te banorët dhe pushuesit.

Policia arrestoi shtetasin K. H. 24 vjeç, teksa ngjarja mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së shtunës, 24 gusht 2019.

"Mbrëmjen e djeshme, në sallën operative të Policisë në numrin 112 ka ardhur telefonatë se në qendër të fshatit Theth, Shkodër një person po qëllonte me armë zjarri në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe pushuesit. Shërbimet e Policisë kanë reaguar me shpejtësi e profesionalizëm dhe falë bashkëpunimit të banorëve, bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të 24-vjeçarit, bashkë me armën e zjarrit kallashnikov, me një krehër me fishekë", njofton policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.