Gjykata e Tiranës ka lënë në burg katër të arrestuarit për përdhunimin e të miturës në Babrru. Asnjëri nga të akuzuarit nuk kanë folur, ndërsa avokatët kanë kërkuar masë më të butë, por s’është pranuar nga gjykata.

Psikologia që ishte e pranishme në sallë thekson faktin që të miturit nuk ishin në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Fillimisht në sallë janë futur Abaz Dogu dhe Klajdi Poçi, të cilët mbajnë kokën poshtë, duke mbuluar fytyrën me duart e tyre për të mos u filmuar nga kamerat.

Dogu që ka qenë roje shkolle, Poçi dhe dy të rinj të tjerë që janë nën moshë, akuzohen se përdhunuan për një kohë të gjatë një 15-vjeçare në zonën e Babrrusë në Tiranë duke e shantazhuar përmes publikimit të videove intime dhe shkrimin e emrit në muret e pallateve të lagjes.

Të katërt ata u arrestuan pak ditë më parë, ndaj të cilëve rëndojnë veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç”, “Shtytja e të miturëve në krim” dhe “Vepra të turpshme”, të gjitha kryer në bashkëpunim.