Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Kuç.

Mësohet se një mjet tip Mercedes Benz është përplasur me një kamion, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur drejtuesi i “Benzit”, shtetasi Koço Nasto. I plagosur ndodhet në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve pasi ka marrë plagë të shumta në trup si pasojë e futjes së mjetit nën rimorkion e kamionit.

Bëhet me dije se Koço Nasto është pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Korçës. Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISË:

Korçë – Informacion paraprak.

Më datë 16.09.2019, në aksin rrugor Korçë-Devoll, në afërsi të fshatit Kuç i Zi, janë përplasur një mjet tip kamion me drejtues shtetasin O.H, me një mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin K.N, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Korçës, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme dhe po punon zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.