Ekipi i policisë së Livornos arrestoi një 35-vjeçar shqiptar, pasi në garazhin e tij u gjetën 830 kg drogë, nga të cilat 564 kg marijuanë dhe 266 kg hashash.

Sipas medieve italiane, që i referohen policisë, droga kapte vlerën e mbi 2 milionë eurove. 

Operacioni që çoi në arrestimin e shqiptarit, punëtor i një kompanie të mirëmbajtjes në Livorno, filloi pas një raportimi anonim në polici, sipas të cilit, një i huaj në zonën e Montebello-s po ecte me një armë dhe me një makinë gri.

Pas vëzhgimit, agjentët gjurmuan shqiptarin brenda makinës teksa po hynte në garazh, në rrugën Ebat. Brenda automjetit, agjentët gjetën dhe kapën një pistoletë lodër.

Më pas, gjatë kërkimit në garazh, u zbulua dhe sasia e lëndës narkotike.