Policia e Shtetit informon se ka arrestuar një 58-vjeçar në Tiranë, pasi kërkohej nga drejtësia italiane.

Sipas policisë, 58-vjeçari kërkohej nga Interpoli, për shkak të dyshimit se ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafik kokaine nga Holanda në Itali.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar

Kapet dhe arrestohet përkohësisht një  shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P. Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana,  u kap dhe u  arrestua përkohësisht shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar: M. Xh., 58 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Napolit/Itali ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”,  parashikuar nga neni 74 i ligjit 309/1990 dhe Nenet 3, 4 të ligjit 146/2006 të Kodit  Penal Italian.

Gjatë vitit 2016  dyshohet se ky  shtetas ishte pjesë në një organizate kriminale, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe heroinë nga Holanda drejt Italisë

Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana.