Ka rënë në prangat e policisë autori i dyshuar për plagosjen e 37-vjeçarit, A.K mbrëmjen e 10 shtatorit në Lezhë. Autori i dyshuar është gjetur në fshatin Troshan në sajë të kontrollit të policisë, pasi kishte ndodhur ngjarja.

Pas kontrollit dhe negociatave mes policisë së Lezhës dhe të afërmve të autorit të dyshuar, ai i është dorëzuar bluve. Personi i dyshuar për këtë plagosje është 22-vjeçari me iniciale S.D.

Mbrëmjen e djeshme në qytetin e Lezhës 37-vjeçari A.K u plagos në këmbë pas një konflikti për motive të dobëta me 22-vjeçarin e dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga  autori i plagosjes së 37 vjeçarit ndodhur mbrëmë në qytet Lezhë

Policia e Lezhës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme ku mbeti i plagosur me armë pas një konflikti të çastit një 37 vjeçar,  falë veprimeve të shpejta hetimore bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Prej mbrëmjes së djeshme,  dhjetëra forca policie të Komisariatit të Policisë dhe të DVP-së Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa  në fshatin Troshan si dhe kanë krehur e mbajtur të rrethuar zonën e pyllëzuar të fshatit Troshan, zonë në të cilën autori mundi të fshihej pas ngjarjes.

Si pasojë e presionit të kontrolleve dhe rrethimit të zonës së pyllëzuar si dhe falë edhe negociatave që Policia e Lezhës bëri me të afërmit e autorit të dyshuar që ai ti dorëzohej organeve të Drejtësisë, para pak minutash u bë e mundur që në fshatin Troshan, autori i dyshuar i ngjarjes,  shtetasi S.D. vjeç 22,  ti dorëzohej shërbimeve të policisë.

Ky shtetas, dyshohet se mbrëmë në qytet Lezhë, ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin A.K. vjeç 37, banues në Lezhë.

Materialet procedurale në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime mëtejshme.