04/12/2020 - 10:28
Gjykata e Lezhës ka vendosur arrest me burg për Gjergj Gjinin i cili pak ditë më parë plagosi me armë zjarri Hil Gjinin në fshatin Balldre të Lezhës.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura autori 69-vjeçar mësohet të ketë thënë se ka pasur konflikte të vazhdueshme me Hil Gjinin, por i kishte zënë pritë për ta trembur, pa pasur qëllim që të qëllonte me armë ndaj tij.
Ndërsa avokati i 69-vjeçarit Petrit Mhilli kërkoi një mase më të butë ndaj klientit të tij me pretendimin se ka probleme shëndetësore me zemrën.
Por kërkesa e palës mbrojtëse nuk u mor parasysh nga gjykata e cila referuar provave të paraqitura nga prokuroria Arben Agovi e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tij, duke vendosur masën e sigurisë arrest me burg. Ndërkohe vendimi i Gjykatës së Lezhës pritet në ankimohet nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Apelit në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të martës në sy të 4 fëmijëve së Hilë Gjinit, pasi ky i fundit po i çonte për në shkollë. Dy prej fëmijëve, një nga ata me vonesë të folurit kanë qëndruar në makinë, kurse dy të tjerët me mamanë kanë bllokuar 69-vjeçarin.
Plagosja është kryer me një pushkë, armë kjo që është sekuestruar nga policia. Sipas policisë, ngjarja ndodhi për motive pronësie.
/portali DurresLajm/