Ndalohet autori i dyshuar i tentativës së vrasjes me armë zjarri të 48-vjeçarit në Korçë. Ngjarja ndodhi katër ditë më parë në një lokal në lagjen nr.6 të qytetit të Korçës. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në pranga ka rënë 28-vjeçari me inicialet J.H., i cili plagosi me armë Ilir Hoxhën.

Pas kontrolleve të shumta të ushtruara nga ana e Policisë Korçë, si edhe falë bashkëpunimit me familjarët dhe avokatin e autorit të dyshuar, u bë e mundur që gjatë mbrëmjes së djeshme i riu të vetëdorëzohet në ambientet e Komisariatit.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”.

Aktualisht i plagosuri ndodhet në spital në Tiranë, ndërsa plumbi i ka prekur mushkërinë.