Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia e Divjakës, pasi mbrëmjen e së shtunës, plagosi me thikë tre persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, në një lokal në fshatin Shën e Premte. Kujtim Imeri, 40 vjeç, për motive të dobëta, është konfliktuar me tre persona, konkretisht shtetasit B.G, 67 vjeç, A.G, 21 vjeç, dhe D.Gj, 26 vjeç.

Autori pas plagosjes u largua nga vendngjarja, por si rezultat i reagimit të shpejtë të policisë, u kap dhe u arrestua menjëherë nga shërbimet e Policisë Divjakë. Sakaq, të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal Lushnje nën kujdesin e mjekëve.

Policia informon se Kujtim Imeri është person me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qenë i dënuar më parë për plagosje me thikë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika.

 Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.