Zbardhet ngjarja në fshatin Bushkash të Matit, ku mbeti i plagosur një shtetas, policia kap në kohë rekord autorin e dyshuar.

Rreth orës 19.50, Policia e Komisariatit Mat, ka marrë informacion se në fshatin Bushkash, Mat, dyshohet se ishte vetëplagosur me armë gjahu shtetasi Xhovalin Rica, 50 vjeç (e deklaruar si vetëplagosje paraprakisht nga i dëmtuari).

Nga dyshimet e krijuara nga grupi hetimor, si dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe mekanizmit të ngjarjes u krijua bindja se ai nuk ishte vetëplagosur.

Si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Matit ka bërë të mundur kapjen e shtetasit: Agustin Braca, 59 vjeç, banues në fahatin Stojan.

Ai dyshohet se për motive të dobëta ka plagosur me armë gjahu çifte Ricën, në ambientet e jashtme të banesës së tij.

Autori i dyshuar u kap në fshatin e tij në Stojan. Në banesë iu gjet dhe sekuestrua arma e përdorur nga autori.

Për kapjen e tij u angazhuan 15 forca policie.