Publikohet fotoja e Ndriçim Jonuzit, i cili është shpallur në kërkim, pasi mbrëmjen e së hënës plagosi 27-vjeçarin Bledar Okshtuni në zyrat e Partisë Demokratike në Kavajë. Me mjekër të gjatë, në këtë foto Jonuzi ka pozuar në vitin 2014 mes efektivëve, në momentin që u arrestua, 7 vite pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma.

Nuk është ende e qartë se si Jonuzi endej i lirë dhe i armatosur në rrugët e Kavajës. Mësohet se nën shoqërinë e dy personave të tjerë, të identifikuar si Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, Jonuzi u fut në zyrat e Partisë Demokratike dhe plagosi sekretarin Bledar Okshtuni.

Policia thotë se gjithçka nisi për një konflikt banal, por nuk ka më shumë detaje për motivet. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshëm mjekësore. Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kreu i PD-së Lulzim Basha që e cilësoi ngjarjen një sulm ndaj demokracisë me qëllim frikësimin e qytetarëve.