Një sherr ka ndodhur paraditen e sotme rreth orës 09:00 në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria Rajonale Tiranë. Drejtori Rajonal i Tiranës, Arbër Nuri është rrahur me grushta me inspektorin e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU, Aleksandër Dani.

Lidhjet nepotike në administratë janë bërë shkak i grushtave, kërcënimeve dhe sharjet në institucion. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se shkak për ngjarjen është bërë ndarja e inspektimeve edhe për bashkëshorten e Danit, e cila është punonjëse e AKU për Tiranën.

Burimet sqarojnë se mes Arbër Nurit dhe bashkëshortes së Danit ka patur një konflikt verbal, që ka degraduar në një kërcënim nga ana e Nurit për të, ku ai i ka thënë se do ta heqë nga puna, sapo të kalojë në punësimin me Kod Pune.

“Do të të flak si leckë jashtë dhe do të të të ****”, “i ka thënë drejtori vartëses, dhe kjo ka telefonuar menjëherë të shoqin, Aleksandrin, i cili gjithashtu punon në AKU. Sapo Dani ka shkuar në institucion ai është qëlluar me Nurin, dhe debate ka degraduar në grushta.

Dosja.al kontaktoi edhe me bashkëshorten e Aleksandër Danit, e cila është shprehur se: “Për çdo gjë flisni me Arbërin (Drejtorin), flisni me atë”), duke mos pranuar të flasë, por duke mos-mohuar sherrin që ka ndodhur në këtë institucion.

Ndërsa vetë Aleksandri, u përgjigj se: Mos shqetësoni njerëzit kot me këto lajme. I pyetur nga Dosja.al se a ishte sot në ambientet e AKU në Tiranë, ai nuk pranoi të përgjigjej. 

Burime për Dosja.al, dëshmitarë të sherrit, sqaruan se e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shihet Dani i mavijosur nga rrahja.