Policia ka arrestuar autorin e plagosjes së trefishtë në Laç. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Gegë Gega, një prej personave që ndodhet në spital pasi qëlloi me armë ndaj tre kushërinjve Shaploci.

Sipas policisë Gega është plagosur gjatë konfliktit fizik. Ndërkaq ai akuzohet se ka qëlluar me automatik mbi tre kushërinjtë Erlin, Islam dhe Gazmend Shaploci.

Informacion paraprak:

Sot, rreth orës 17:02 është marrë njoftim tek Salla Operative, se në Sanxhak në Kurbin, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore që kanë konstatuar shtetasi G.G. ka plagosur me armë zjarri 3 shtetas, I. Sh., B. Sh., dhe G. Sh., të cilët ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor.

Motivi dyshohet pas një konflikti të çastit ndërmjet tyre.

Gjithashtu, në spital për ndihmë mjekësore ndodhet edhe shtetasi Gegë Gega, pasi gjatë konfliktit fizik ka pësuar lëndime, ku i është bërë edhe arrestimi.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip automatik.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, ndodhen në vendngjarje e po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.