Policia e Lezhës bëri të ditur se ka arrestuar një person për armëmbajtje pa leje. Laçjani 55-vjeçar po lëvizte me makinën e tij Benz, kur policia ushtroi kontroll duke i gjetur një pistoletë dhe një krehër me fishekë.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri me vete kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shënkolli”. Në kuadër të operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Shënkollit” kanë ushtruar kontroll në automjetin tip “Benz ” që drejtohej nga shtetasi V. V. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me krehër me 16 fishekë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. V., 55 vjeç, banues në Kurbin” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.