Një baba së bashku me vajzën e tij janë dënuar me burg, pasi tentuan të trafikonin 9 persona, 8 prej të cilëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar me një furgon kampingu.

Baden Williams, 47 vjeç dhe vajza e tij Latasha Perry, 27 vjeçe u shpallën fajtorë për krijimin e kushteve për emigracion të jashtëligjshëm, Williams u dënua me 5 vjet dhe 6 muaj burg, ndërsa vajza e tij u dënua me 4 vjet heqje lirie.

Babë e bijë u ndaluan më 1 maj 2017 në një zonë kontrolli në Coquelles të Francës, përpara se të futeshin në tunel. Williams ishte në timon, ndërsa Perry qëndronte e ulur në anën e pasagjerit. Ata pretenduan se po riktheheshin nga një fundjavë e gjatë, të cilën e kishin kaluar në veri të Francës.

Kur oficerët kontrolluan furgonin, zbuluan 9 persona, 8 shqiptarë (7 burra dhe një grua), si dhe një turk. 4 ishin fshehur në zonën ku flihet, direkt mbi kabinën e shoferit, ndërsa 5 të tjerët ishin futur në një dollap magazinimi në fund të furgonit.