Policia e Durrësit në vijim të kontrolleve në banesa dhe në territor për drogë, ka goditur dy raste të mbajtjes së lëndëve narkotike në banesa, nga ku sekuestrohen rreth 5 kg kanabis.

Arrestohet në flagrancë njëri prej poseduesve të lëndës narkotike, ndërsa poseduesi tjetër shpallet në kërkim. Gjatë kontrolleve, kapet dhe ndalohet edhe një person i shpallur në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve si për kapjen e personave të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë Vendore  të Policisë Durrës kanë vijuar kontrollet e pandërprera të territorit dhe në banesa ku mund të fshiheshin persona të shpallur në kërkim, apo mund të kishte lëndë narkotike.

Si rezultat i kontrolleve nga Policia e Krujës është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi A. D., 45 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, pasi  gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi L. D., 20 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë dhe vijon puna për kapjen e tij, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 3.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Po gjatë kontrolleve, Policia e Krujës bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike". Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë bënë  ekzekutimin e vendimit penal të vitit 2019  për shtetasin K. H., 48 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", në mungesë.

Kontrollet do vijojnë edhe në ditët në vazhdim për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.