Tërmeti 6.4 ballë që shkundi sot Durrësin, ku epiqendra ishte 16 km nga Shijaku, ka shkaktuar dëme të mëdha në Thumanë dhe në Durrës, ku deri tani 7 persona konfirmohen se kanë ndërruar jetë.

Dëme të mëdha janë shënuar edhe në Tiranë, ndërkohë që dhjetra persona kanë mbetur të plagosur.

Policia e Durrësit bën me dije se nga ndërhyrja e forcave të emergjencave në terren, janë shpëtuar rreth 22 shtetas, të cilët kishin ngelur nën rrënoja. Ata u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Sakaq, rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Deri në këto momente u është dhënë ndihmë mbi 260 qytetarëve. Ministria e Mbrojtjes iu bën thirrje qytetarëve që për çdo ndihmë të telefonojnë në numrin falas 112!