Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në rrugë dhe njofton se ka gjobitur disa qytetarë, të cilët janë kapur pa maskë.

Në një njoftim për mediat, autoritetet bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit, efektivët kanë konstatuar një ulje të ndjeshme të qytetarëve që nuk zbatojnë masën për mbajtjen e detyrueshme të maskës.

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 356 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila ndersa 7 qytetarë nuk i janë bindur urdhrit të efektivëve për t’u identifikuar të cilët janë shoqëruar në komisariat dhe pas procedurave janë gjobitur dhe janë lënë të lirë.

NJOFTIMI I PLOTË

Vijojnë në të gjithë vendin, kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, punonjësit e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar një ulje të ndjeshme të qytetarëve që nuk zbatojnë masën për mbajtjen e detyrueshme të maskës. Shumica e qytetarëve, edhe gjatë mbrëmjes së djeshme, edhe gjatë ditës së sotme i kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 356 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Edhe numri i qytetarëve që kanë tentuar t’i shmangen masës administrative duke mos i dhënë gjeneralitetet punonjësit të Policisë, kur janë konstatuar pa vendosur maskën, është ulur gjatë 24 orëve të fundit. Janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masën administrative 3000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi.

Policia e Shtetit falënderon edhe njëherë qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19.

Ndërkohë, Policia e Shtetit fton qytetarët që të mbështesin dhe të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.