Një shtetas shqiptar ka humbur jetën dhe tre persona janë plagosur në hyrje të Selanikut, ndërsa policia greke po përndiqte një furgon, që nuk kishte ndaluar për kontroll.

Përndjekja kishte filluar në Polikastro, në afërsi të kufirit me Maqedoninë.

Sipas mediave lokale, në furgonin që drejtohej nga një shtetas grek, ndodheshin tre emigrantë të paligjshëm shqiptarë dhe kjo ishte arsyeja që drejtuesi u përpoq t’i shmangej kontrollit të policisë.

Por policët iu vunë mbrapa duke e ndjekur furgonin për gati një orë.

Në hyrje të Selanikut, në vendin e quajtur mbikalimi i Sindos, furgoni u përmbys dhe si pasojë humbi jetën emigranti shqiptar, emri dhe mosha e të cilit nuk janë bërë të ditur.

Viktima kishte rënë brenda një kanali dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë.

Drejtuesi i mjetit, shtetas grek dhe dy emigrantët e tjerë u dërguan në spital.

Kohët e fundit policia greke i ka shpeshtuar operacionet kundër emigrimit të paligjshëm nga Shqipëria.