Policia e Tiranës ka reaguar disa orë pas ngjarjes, ku një i shoqëruar u arratis nga ambientet e drejtorisë, për t’u kapur pak minuta më pas.

Në një njoftim zyrtar, policia thotë se ka arrestuar 28-vjeçarin me inicialet K. P, i cili ishte denoncuar nga i ati për dhunë në familje, por që ambientet e Drejtorisë së Tiranës ka kundërshtuar me dhunë efektivët dhe ka tentuar të largohet.

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Më datë 25.09.2020, rreth orës 16:00, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte i shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë për veprën penale ‘Dhuna në familje’ pasi ishte denoncuar nga babai i tij, dhe në momentin që Punonjësi i Policisë po e shoqëronte për në katin e parë të Drejtorisë Tiranë, ky shtetas e ka kundërshtuar me dhunë duke e goditur punonjësin e policisë dhe ka tentuar të largohet nga ambientet e DVP Tiranë por është kapur dhe prangosur disa metra më tej nga Forcat e Posaçme ‘Shqiponjat’.

Në përfundimin të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., për veprat penale ‘Goditje për shkak të detyrës’, ‘Kundërshtim me dhunë i punonjësit të Policisë’ dhe ‘Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë’ dhe ‘Dhuna në familje’, dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.