Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të një të riu që qarkullonte me armë pa leje.

U arrestua Fatjon Bono, 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë-Pogradec (me precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit).

Arrestimi i tij u bë pasi nga informacione të siguruara në rrugë operative, falë veprimeve të mirëkoordinuara, si edhe gjatë kontrollit trupor që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj tij në një lokal në lagjen nr. 1 në Pogradec, iu  gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë tip TT. Po ashtu u sekuestruan 1 krehër me 6 copë fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse.

Gjithashtu shtetasi i mësipërm, dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.01.2018, në fshatin Vërdovë-Pogradec, ku është qëlluar në ajër, me armë zjarri.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.