Policia e Fierit dhe Mallakastrës ka finalizuar një tjetër operacion antikanabis duke arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe shpallur në kërkim 1 tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të marra në rrugë policore dhe si rezultat i organizimit të shërbimeve për kontrollin e territorit, nga Komisariati i Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Mallakastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u evidentuan dhe u goditën 3 raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:

I. L., 45 vjeç, banues në Aranitas, Mallakastër;
A. T., 54 vjeç, banues në Baltëz, Fier.
F. L., 17 vjeç, banues në Baltëz, Fier.

U shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e babait të 17-vjeçarit, shtetasit A. L., 52 vjeç.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi janë autorët e dyshuar të kultivimit të fidanëve narkotikë në tokat e tyre në fshatin Baltëz dhe Aranitas.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës, shtetasit A. T., iu gjetën dhe sekuestruan rreth 5 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.