Një fotografi e djalit të tij është postimi i fundit që 30-vjeçari Boran Bercana kishte hedhur në rrjetet sociale pasditen e së shtunës.

Disa orë më vonë, ai u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në makinë, sëbashku me bashkëjetuesen e tij Silvi Ndoci, 25-vjeç që ishte dhe nëna e djalit të vogël.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Naim Gjylbegu”, pranë shtëpisë së çiftit në Shkodër. Motivet e kësaj ngjarjeje që tronditi mbarë opinionin publik, mbeten mister.

Ajo që e bën edhe më të rëndë është fakti se dëshmitar okular i këtij ekzekutimi të dyfishtë është djali i çiftit.

Ai ndodhej i ulur në sediljen e pasme të makinës dhe pasi është zgjuar ka shkuar në prehrin e së ëmës, duke qëndruar me fytyrë nga ajo. Një skenë e tmerrshme për një fëmijë ende të mitur, i cili fatmirësisht nuk ka marrë asnjë dëmtim fizik.

Brenda dhe jashtë makinës u gjetën më shumë se 20 gëzhoja, ndërsa pak orë më vonë, në lagjen Dobraç policia gjeti të djegur një automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Këta të fundit nuk janë identifikuar ende dhe mbeten në arrati.