Një 41-vjeçar nga Kavaja ka denoncuar në komisariatin e policisë së këtij qyteti ish-drejtoreshën e një institucioni, e cila sipas pretendimit të tij e ka çuar biznesin e qytetarit në falimentim, pasi i ka bllokuar dy prona private.

Shtetasi I.M. ka deklaruar në polici se “shtetasja H.S., 32 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë ish-drejtoreshë e një institucioni në Kavajë, duke shpërdoruar detyrën, në fshatin Qerret, i ka bllokuar dy prona private me qëllim mosmarrjen e kredive, duke sjellë falimentimin e biznesit”.

Pas regjistrimit të denoncimit të qytetarit, policia e Kavajës ka nisur hetimet.

Ish-drejtoresha H.S. akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.