Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Vito Biba, banues në Tiranë, i dënuar për verpën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”;

Abedin Palnikaj, banues në Curraj, Tropojë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

Baftjar Gjana, banues në Resk, Kukës, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”;

Genti Tahiri,  banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.