Një 18-vjeçare, nënë e një foshnje 2-muajshe, është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka plagosur vëllain e bashkëshortit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në “Kodër Kuqe” të Kamzës, në banesën ku adoleshentja Xhemile N., jeton me të shoqin. Burimet thanë se ajo ka goditur me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes kunatin e saj 40-vjeçar, Arjan M. Ky i fundit është i divorcuar dhe jeton në një banesë pak më larg vendit të ngjarjes, por ka shkuar në shtëpinë e të vëllait në gjendje të dehur dhe ka nisur të konfliktohet me të.

Madje, në një moment ai ka tentuar të godasë me thikë vëllain e tij dhe të shoqen, ndërsa kjo e fundit është futur në mes për të parandaluar ngjarjen. Kur ka parë se situata po tensionohej edhe më shumë, ka marrë një thikë në kuzhinë dhe ka goditur kunatin, duke e plagosur lehtë.

Burimet thanë se ai është transportuar në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për 18- vjeçaren është vendosur që të procedohet në gjendje të lirë, për shkak se ka edhe foshnjën që e ushqen me gji.

“Shërbimet e policisë së Komisariatit Nr.5 proceduan penalisht në gjendje të lirë një 18-vjeçare, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës kunatin e vetë, shtetasin A.M., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës. /PANORAMA