Ky është momenti kur të arrestuarit e operacionit “Mezhgorani” dërgohen në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër pas ndalimit nga policia. Gjatë operacionit që ka zgjatur 6 muaj janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar 53 shtetas për vepra të ndryshme penale, mes tyre dhe botuesin e njohur Henri Çili.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër, Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posacme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin dhe bashkëpunimin me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Përmet, pas një hetimi 6-mujor, në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2019, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, finalizuan me sukses operacionin policor “Mezhgorani”.

Si rezultat i punës hetimore e procedurale nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, duke aplikuar metodat speciale të hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; “Falsifikimi i kartëmonedhave”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse”; “Organizimi i lotarive të palejuara”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale”; “Fshehja e të ardhurave”; “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.