Një pronar i një pike bastesh në kryeqytet është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme rreth orës 22:00, në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Shefqet Musaraj” te zona e “21 Dhjetori”'. Kanë qenë qytetarët që kanë sinjalizuar policinë për të shtëna me armë zjarri në këtë rrugë në një pikë bastesh, por në momentin që kanë mbërritur blutë nuk kanë gjetur asnjë person.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se i plagosuri dyshohet se është pronari i një pike bastesh, por që është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Policia ka rrethuar zonën, ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa ka gjetur dy gëzhoja. Ngjarja e sotme ka ndodhur pak metra nga vendi ku u vra në fillim të këtij viti 32-vjeçari Emiljano Boçi në një atentat me armë zjarri.

Njoftimi paraprak i Policisë:

Ka ardhur një telefonatë te salla se në rrugën "Shefqet Musaraj", dyshohet se një person ka plagosur me arme zjarri  një shtetas. Policia është ne vendngjarje për verifikimin e informacionit. Deri tani nuk është evidentuar asnjë i plagosur. Po kryhen veprime.