Një atentat me armë zjarri i është bërë një shqiptari në Greqi. Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në sheshin Attiki të Athinës.

Mediat greke, shkruajnë  se shqiptari, identiteti i të cilit momentalisht nuk bëhet i ditur, është dërguar në spital. Ai dyshohet se përveç plagës së marrë nga arma e zjarri është përplasur edhe nga një automjet, në rrethana ende të paqarta.

Në të njëjtën kohë, dy persona, nën kërcënimin e armës u futën në një taksi duke e detyruar shoferin që t’i çonte deri në stacionin e Larisës. Në momentin që zbritën nga taksia, autorët lanë pas edhe një armë zjarri.

Dyshimet paraprake janë se këta dy persona, të cilët mësohet se janë emigrantë, janë pikërisht autorët që plagosën shqiptarin. Megjithatë momentalisht nuk është ende e qartë nëse dy ngjarjet kanë ose jo lidhje me njëra-tjetrën.

Policia po përpiqet që të marrë dëshminë e taksistit, i cili pësoi atak paniku dhe deri më tani e ka pasur të vështirë të shpjegojë se çfarë ndodhi.