Qëlloi në ajër me armë zjarri, banorët lajmëruan Policinë në 112. Falë reagimit në kohë, Policia vuri në pranga 47-vjeçarin nga Derveni i Krujës.

Në numrin 112 të Komisariatit të Policisë Krujë kanë ardhur telefonata nga banorët e fshatit Derven se një shtetas po qëllonte me armë zjarri në ajër.

Menjëherë shërbimet e Policisë Krujë janë nisur në drejtim të adresës së dhënë, ku shtetasi që qëllonte me armë zjarri në ajër u largua sapo pa forcat e Policisë.

Pas krehjes së zonës dhe bashkëpunimit me banorët, Policia lokalizoi dhe arrestoi në flagrancë shtetasin: A. S., 47 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë.

Gjithashtu Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe disa fishekë luftarakë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale "Prishja e qetësisë publike" dhe "Armëmbajtja pa leje".