Forcat RENEA kanë arrestuar Enrik Llukën në Gjirokastër i cili ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet për vrasje dhe ishte dënuar me 35 vjet burg në mungesë. Aksioni për arrestimin e këtij personi është finalizuar mëngjesin e sotëm, kur RENEA dhe policia e Gjirokastrës kanë rrethuar banesën e Enrik Llukës në afërsi të Urës së Subashit dhe më pas kanë bërë edhe arrestimin e tij. Enrik Llukës i janë gjetur në banesë një snajper prodhim rus si dhe disa municione.

Enrik Lluka dyshohet se është autor i një krimi të ndodhur në mars të 2016-s në kthesën e fshatit Andon Poçi në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Shtëpëz, ku i vrarë mbeti Dorian Lluka, 29 vjeç dhe u plagos Birbil Lluka, 31 vjeç, banues në Gjirokastër, të afërm të të arrestuarit.

Konflikti ka nisur në lokalin e Dasho Alikos, ish-kryekomunarit të Lazaratit që ndodhet në rrugën Nacionale në Gjirokastër. Dy vëllezërit Dorian dhe Birbil Lluka bashkë me dy persona të tjerë kanë rrahur në ambientet e jashtme të lokalit Enrik Llukën. Pas konfliktit dy vëllezërit janë larguar me makinën e tyre. Më pas Enrik Lluka i ka marrë pistoletën shokut të tij Emiljano Vockës dhe i ka ndjekur nga pas me makinë kushërinjtë e tij dhe më pas ka qëlluar ndaj tyre duke lënë të vdekur Llukën dhe duke plagosur rëndë vëllain e tij.

Dyshohet se konflikti mes kushërinjve ka ndodhur për motive pronësie  dhe për një borxh mes tyre.