Bujar Lika, 37 vjeç, i njohur edhe me mbiemrin Hasani është cilësuar nga policia si shënjestra e atentatit të mbrëmshëm në Laç, ku humbi jetën edhe një 53-vjeçar si dhe u plagos një 21-vjeçar.

Mësohet se Bujar Lika ka qenë i përfshirë në vrasjen e 2015-n në zonën e Linzës ku në parkingun e një restoranti u ekzekutua me plumb në kokë, Enton Nikaj. Kjo ka bërë që policia të ngrejë si pistën kryesore të hetimit, një hakmarrje për ngjarjet e së shkuares.

Bujar Lika, pas një beteje ligjore me drejtësinë në 2016-n ai mundi të sigurojë pafajsinë nga gjykata e Apelit. Lika është i njohur edhe për lidhje të forta miqësore me kreun e një grupi kriminal kryesisht në fushën e lojrave të fatit, raporton BW.

Pak minuta pas vrasjes së tij në Laç, në kryeqytet pati një shpërthim me lëndë plasëse në biznesin e familjes së Ervin Matës. Megjithëse nuk ka prova për të faktuar nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, policia po heton më këtë drejtim pasi Mata dhe grupi kriminal me të cilin kishte lidhje viktima Bujar Lika kanë pasur një përplasje të mëparshme më 4 tetor 2018, në zonën e ish-Bllokut ku viktimë mbeti Fabjan Gazha dhe u plagos Ervis Martinaj dhe Eljon Ato.

I plagosur nga ngjarja me 3 plumba në këmbë u paraqit ne spital edhe 21-vjeçari Kreshnik Tusha, i cili është i vetmi dëshmitar i gjallë në këtë ngjarje dhe dëshmia e tij pritet që të japë të dhëna të vlefshme për grupin hetimor. Në Lezhë dhe Kurbin policia ka shoqëruar rreth 30 persona të dyshuar dhe ose që kanë dijeni për ngjarjen.

Policia ka sekuestruar dhe shumë pamje të kamerave të sigurisë me shpresën se mund të kenë regjistruar autorin e kësaj ngjarje. Policia ka dyshime të forta se edhe autori mund të jetë plagosur, pasi në dorën e viktimës Bujar Lika është gjetur një armë zjarri tip pistoletë që ka kryer qitje.