Përveç dëshmisë së pronarit të servisit (Genitan Sharra) ku dyshohet se u modifikua furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, gazetarja Klodjana Lala raporton për "BalkanWeb" edhe detaje për personin që e ka marrë atë me qira.

Ai është shtetasi Elvi Çala, i cili rezulton të jetë vëllai i Klement Çalës i etiketuar si “ekspert i grabitjes” së bankave dhe i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit në lidhje me ngjarjen e 9 shkurtit 2017, ku u grabitën blindat me 3.2 milionë dollarë të bankave të nivelit të dytë në aksin Qafa e Kasharit – Rinas.

Elbasanasi 31-vjeçar është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai është një emër i njohur sidomos pas grabitjes së famshme të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës. Klement Çala, rezulton të jetë arratisur sëbashku me Admir Muratajn nga burgu i Trikallasë më 22 mars 2013.

Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë. Policia greke kishte gjetur gjurmë ADN-je të Klement Çalës në furgonin e bardhë të vjedhur në Korinth, me të cilin të arratisurit nga burgu i Trikalasë kishin tentuar t’i shpëtonin arrestimit.