Një banor i lagjes nr.15 denoncon faktin se nuk i është hapur për mëse 40 minuta telefoni i sallës operative në policinë e Durrësit.

Shtetasi Ymer Spaho ka dërguar pranë redaksisë së DurrësLajm foto dhe pamje filmike të makinës së djegur, mbrëmjen e së enjtes, ndërkohë që pretendon se pavarësisht telefonatave të shumta, salla operative nuk përgjigjej në telefon.

Spaho thotë se pas zjarrit që kishte përfshirë automjetin, që e kishte të parkuar në garazhin e shtëpisë, jo vetëm ai, por edhe fqinjët kanë tentuar për shumë kohë të njoftonin policinë. Sipas tij, policia dhe zjarrfikësit kanë ardhur me mjaft vonesë në vendngjarje, ndërkohë që makina ishte shkrumbuar tërësisht në pjesën e prapme dhe dëme materiale të shumta materiale ka në garazh.

Sipas Spahos, ai ka telefonuar në dy numrat e policisë 129 dhe 112, që nga ora 20.55 dhe vetëm pas 40 minutash i është përgjigjur salla operative. Zjarrin e kanë shuar me ndihmën e fqinjëve, ndërsa falenderon zotin që nuk pati dëme më të mëdha, pasi makina rrezikonte të shpërthente.

Ai nuk di të thotë nëse zjarri në automjet ka shpërthyer aksidentalisht apo ka qenë i qëllimshëm.

DurrësLajm kontaktoi edhe me zëdhënësen për shtyp të policisë për rastin në fjalë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, salla operative i është përgjigjur qytetarit Spaho në orën 21.31. ndërkohë, rreth orës 21.50, salla është njoftuar se zjarrfikësja ka mbërritur në vendngjarje dhe situate ishte nën kontroll. Sipas policisë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.