Një ditë pas rrjedhjes së gazit në një shkollë në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet ku mbetën të helmuar 6 nxënës, policia e Tiranës njofton se ka proceduar penalisht dy persona.

Sipas autoriteteve, të proceduarit akuzohen se kanë vënë në funksion sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial. 

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. S., 34 vjeç dhe E. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, në ambientet e një shkolle jopublike, këta shtetas kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial dhe si rrjedhojë e rrjedhjes së gazit nga depozita e gazit të sistemin të ngrohjes, 6 nxënës të kësaj shkolle kanë patur probleme shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.