Një sasi prej 46 kg kanabis është sekuestruar në Korçë. Policia ka vënë në pranga poseduesin e lëndës narkotike Th.Dh., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili ka tentuar të largohet, por është kapur pas ndjekjes nga Policia.

"Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar "Ndjekja". Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Th.Dh., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili ka tentuar të largohet, por është kapur pas ndjekjes nga Policia", bën me dije policia në njoftimin për mediat.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjetën 46 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kurse gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan edhe 20 000 Euro si edhe 10 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.